Marine Le Pen në ofensivë
Le Pen ju bëri thirrje mbështetësve të Melanshonit që të bllokojnë rivalin e saj, Emanuel Makronin
Kandidatja e ekstremit të djathtë për president të Francës, Marine Le Pen, i ka bërë thirrje votuesve të cilët në rrethin e parë të zgjedhjeve votuan për kandidatin e ekstremit të majtë, Zhan Luk Melanshon, që në rrethin e dytë të votojnë për të.
Në llogarinë e saj në Twiter Le Pen ju bëri thirrje mbështetësve të Melanshonit që të bllokojnë rivalin e saj, Emanuel Makronin, ish-bankier dhe ministër, për të cilin tha se është përfaqësues i sektorit arrogant financiar.
Le Pen dhe Melanshon në rrethin e parë së bashku fituan 40 për qind të votave, më saktësisht, Le Pen tuboi 21.30 për qind të votave, ndërsa Melanshon 19.58 për qind.
Përkundër dallimeve në qëndrimet e tyre kundrejt imigrantëve dhe temave sociale, si Le Pen, ashtu edhe Melanshon kanë qëndrime skeptike kundrejt Bashkimit Evropian, janë kundërshtar të marrëveshjes për tregti të lirë dhe kanë premtuar se do të ndihmojnë punëtorët, të cilët po vuajnë për shkak të procesit të globalizimit.
Melanshon ende nuk ka këshilluar votuesit e tij se për kë duhet të votojnë në rrethin e dytë më 7 maj.
Për zgjedhjet në Francë u shpreh edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila tha se Makron do të ishte një president i fuqishëm, nëse mposht Le Penin në rrethin e dytë.
Merkel tha se ajo nuk ka asnjë dyshim se Makron do të ishte një president i fuqishëm dhe shtoi se shpreson se ai do të fitoi./21Media