Nënshkruhet zyrtarisht koalicioni PDK-PD
Partia e Drejtësisë dhe Partia Demokratike e Kosovës do të garojnë së bashku në zgjedhje
Marrëveshja për të garuar së bashku në zgjedhjet e 11 qershorit është nënshkruar në selinë e PDK-së nga kryetari i partisë së PDK-së, Kadri Veseli dhe kryetari i PD-së Ferid Agani.
Me këtë rast Veseli tha se koalicioni është tërësisht perëndimor dhe evropian.
Ai u shpreh se ndihet i nderuar për aderimet e reja në PDK dhe tha se ky është vetëm fillimi i “Fillimit të Ri” pasi që do të ketë edhe marrëveshje të tjera me parti të tjera.
Veseli tha se do të fokusohen që me fillim të ri t’i japin një dinjitet të merituar gruas dhe të rinjve.
Ndërsa Ferid Agani, u shpreh se koalicioni i arritur sot mes PDK-së dhe PD-së është një vazhdimësi e bashkëpunimimit dhe përkushtimit.
Agani tha se kanë rënë dakord që PD do reformojë sistemin e shëndetësisë, punën që sipas tij e ka lënë në gjysmë para tri vitesh.
Në këto zgjedhje PD do të garojë me 5 deputetë.
Po ashtu edhe Edita Tahiri do të jetë pjesë e listës së PDK-së në garën për deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit.
Tahiri përfaqëson Alternativën Demokratike të Kosovës e cila tash e sa vjet është në Qeveri me PDK.
Së fundmi Tahiri ka qenë udhëheqëse e dialogut me Serbinë ndërsa më herët ka mbajtur poste të rëndësishme në Qeveri.