“LDK e LVV manipuluan me nënshkrimet e Ilir Dedës e Mimoza Kusarit”

Krasniqi nga PDK i cili tha se dy partitë opozitare kishin manipuluar me dy nënshkrime

Kryesia e Kuvendit e cila u mblodh për herë të dytë gjatë ditës së sotme vendosi që të mos pranojë kërkesën e dy partive opozitare, LDK-së dhe LVV-së, për seancë të jashtëzakonshme në lidhje me dështimin për liberalizim të vizave këtë vit.

Kryetari i Grupit Parlamentar, të LVV-së, Glauk Konjufca doli nga mbledhja duke thënë se brenda kryesisë u votua se a kanë të drejtë apo jo të thirrin seancë të jashtëzakonshme 40 deputetë.

“Po këtu sapo ndodhi një gjë e tmerrshme për të cilën ne e kundërshtojmë pjesë e kësaj. 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës janë kategori kushtetuese, nuk mundesh me votu a kanë të drejtë apo jo me thirrë seancë të jashtëzakonshme, këto gjëra nuk hidhen në votim”, tha Konjufca.

Sipas Konjufcës, manipulimi me 40 nënshkrimet e deputetëve që kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme është shkelje.

“Me manipulu dhe me ia mohu vullnetin 40 nënshkrimeve është shkelje. Nuk e përjashtoj mundësinë qe ne të mbledhim serish nënshkrimet”, tha Konjufca.

Pas Konjufcës, për të sqaruar situatën doli edhe Memli Krasniqi nga PDK i cili tha se dy partitë opozitare kishin manipuluar me dy nënshkrime, atë të Ilir Dedës dhe Mimoza Kusari- Lilas.

“Herën e parë e miratuam kërkesën për tu mbajtur një seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga dy parti opozitare nga ora 4, dhe në mbledhje isha edhe unë edhe z. Isufi pyetëm për nënshkrimet që deputetët kishin kërkuar në seancë. Nga ana e LDK pati heshtje, në ndërkohë e patë që dy deputet, Mimoza Kusari dhe Ilir Deda njoftuan kuvendin se njoftimet e tyre janë përfshirë në kërkesë pa vullnetin e tyre, në këtë mënyrë ne mblodhëm prap kryesinë për të trajtuar këtë çështje. Është hera e parë që kryesia e kuvendit ballafaqohet me një manipulim. Në këtë drejtim propozimi të gjithë neve ishte që kolegët nga opozita të mbledhin prap nënshkrimet, dhe nëse mbesin keq për nënshkrime sepse realisht nuk i bëjnë 40, mund t’i ndihmojmë dhe ta mbajmë seancën sonte”, tha Krasniqi.

Bilall Sherifi nga NISMA tha se dy partitë opozitare nuk kanë pranuar se kanë manipuluar me nënshkrime.

“Le ta bëjnë kërkesën e dytë me nënshkrime të reja, kemi të bëjmë me mosgatishmëri për me pranu se janë manipuluar nënshkrimet”, tha Sherifi./Kallxo.com

Back to top button