Hapet afati për aplikim për rimbursim nga kuponët fiskal
Grumbullimi i kuponave fiskal do të vazhdojë deri me 31 janar
Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar qytetarët se nga fillimi i këtij vitit mund të aplikojnë për rimbursim nga kuponët fiskal.
Aplikimi për rimbursim të mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal ka filluar që nga 1 janari dhe do të vazhdojë deri me 31 janar 2019.
Në komunikatën për media nga ATK-ja, bëhet e ditur se aplikacioni duhet të plotësohet në mënyrë elektronike përmes ueb-faqes së Administratës Tatimore të Kosovës.
“Aplikimi bëhet vetëm një herë për të njëjtën periudhë duke u bazuar në Numrin Personal të aplikuesit. Fituesit potencial do të rimburësohen me dhjetë përqind (10%) të vlerës së deklaruar, por jo më shumë se njëqind euro (100 €). Numri minimal i kuponëve fiskal të dorëzuar duhet të jetë 60 kuponë, me shumën minimale dyqindepesëdhjetë euro ( 250€ )” bëhet e ditur në komunikatën për media.
Tutje kërkohet nga qytetarët që të kenë kujdes me llogaritë bankare pra të sigurohen për llogarinë, të cilën e kanë deklaruar në aplikacion për rimbursim të jetë funksionale. Pasi që sipas tyre, Administrata Tatimore nuk do të marrë asnjë përgjegjësi nëse llogaria bankare është e mbyllur apo jo funksionale për çfarëdo arsye. /21Media