Ripërsërit Haradinaj: Taksa mund të suspendohet vetëm me njohje

Haradinaj ka folur edhe për Hahnin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë, në një konferencë për media ka përsëritur se taksa mund të suspendohet vetëm me marrëveshje me njohje të Kosovës nga Serbia.

“Me suspendu me afat kohor, nëse nënshkruhet marrëveshja për njohje. Jemi në gjendje me suspendu taksën nëse është bërë gati marrëveshja për njohje.”, ka deklaruar kreu i Qeverisë.

Haradinaj ka treguar se komisioneri evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, do ta përgatisë kontratën për tregti të lirë mes dy vendeve, por që vendimi do të merret kur bëhet edhe marrëveshja për njohje.

“I kam propozuar edhe unë që të bëjë gati një opsion për zgjidhje të kapitullit ekonomik, ai e përgatit kontratën sa i përket ekonomisë së lirë. Por vendimi merret kur të jetë gati edhe njohja edhe temat e tjera. Ne jemi në gjendje me e suspendu [taksën]me afat kohor deri sa të nënshkruhet marrëveshja, se nuk e kemi qëllimin me e pengu ose me vonu marrëveshjen”, ka bërë të ditur kreu i Qeverisë.

Ndërsa sa i përket masave të tjera, i pari i Qeverisë ka thënë se edhe më herët kanë treguar se ato mund të vijnë, por ka thënë se njëherë nuk e kanë në plan të ndërmarrin masa tjera dhe ka shtuar se janë ndalur me veprime për hir të respektit ndaj shtetit aleat, Amerikës, edhe pse Serbia s’është ndalur, por vazhdon ta rrisë agresivitetin.

“Nuk e kemi në plan njëherë mos me respektu letrën e presidentit Trump, duam me i dhanë një mundësi procesit. Nëse ata vazhdojnë, duhet me vlerësu ndonjëherë si me vepru më tutje”, ka thënë ai.

Pas fushatës së Serbisë për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete. Kundër kësaj take janë shprehur Bashkimi Evropian e po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media

Back to top button