PDK kundër një Konference Ndërkombëtare për Kosovën
PDK kërkon të hiqet dorë nga deklaratat për ndryshim të kufijve
Partia Demokratike e Kosovës shpreh siç thotë shqetësimin e saj për mungesën e theksuar të bashkërendimit dhe bashkëveprimit institucional për çështjet e interesit shtetëror të vendit. PDK-ja, konsideron se një gjë e tillë është duke e dëmtuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Përmes një deklarate për media, PDK kërkon që ‘të hiqet dorë nga qasja dhe protagonizmi i njëanshëm politik i cili po e shpie vendin në krizë politike, në kohën kur sfidat me të cilat përballet shteti ynë kërkojnë unitet kombëtar’.
PDK gjithashtu kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet për korrigjimin e kufijve. “Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga deklarimet e thirrjes së një Konference Ndërkombëtare për Kosovën. Kjo ide përmban rrezikun real të rihapjes së statusit final të Kosovës, i zgjidhur përfundimisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, si dhe rrezikun e involvimit të Rusisë në proces”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
Sipas kësaj partie, Kosova shkon në Dialog vetëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, njohjen reciproke, ulësen në OKB dhe përshpejtimin e anëtarësimit në BE dhe NATO.
PDK ka kërkesa edhe për LDK-në dhe Vetëvendosjen. “Lidhja Demokratike e Kosovës ta ndalë përdorimin e gjuhës denigruese të zyrtarëve të saj dhe ikjen nga përgjegjësia shtetërore, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje të distancohet nga diskursi i saj anti-shtet dhe ta njohë shtetin e Kosovës”.
Pozicioni i Partisë Demokratike të Kosovës: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe çdo vendimmarrje duhet të dalë dhe të legjitimohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kuadër të delegacionit shtetëror dhe platformës së përbashkët. /21Media