Dogana i dha ultimatum Qeverisë deri në mesditë

Dogana paralajmëron grevë

Qeveria e Kosovës ka kohë deri në mesditë që të kthejë për zyrtarët doganorë statusin e zyrtarit publik të uniformuar dhe të garantojë paprekshmërinë e pagave të tyre nga projektligji për pagat, përndryshe Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës paralajmëron greva. Këto dy kërkesa të tyre, zyrtarë të kësaj sindikate i parashtruan dje në një konferencë për media, ku edhe dhanë ultimatumin e tyre për Qeverinë.

Sipas tyre, e gjithë kjo është bërë për të mbrojtur pagat dhe statusin e mëhershëm të zyrtarëve të doganës, të cilin e kanë pasur deri më 29 janar të këtij viti, kur Komisioni për Administratë Publike ka amandamentuar Projektligjin për pagat e sektorit publik.

Ziavere Keqmezi, anëtare e kryesisë dhe njëherësh kryesuese e Këshillit grevist, dje ka bërë të ditur se kanë lënë hapësirë deri sot për të parë nëse do të përfillen kërkesat e tyre.

“Në rast që nuk plotësohen kërkesat e tona, ne sot kemi paralajmëruar edhe grevën e cila është dashur të ndodhë nga ora 14:00-15:00, në të gjitha pikat doganore dhe në zyrat e brendshme dhe sektorët tjerë, mirëpo e kemi shtyrë, sepse kemi marrë informata se nga takimet që ka pasur kryesia jonë me ministrin e Financave, Bedri Hamza, pasi që kemi marrë premtime, do t’i japim hapësirë dialogut deri nesër në ora 12:00. Përndryshe, nëse nuk do të respektohen këto ndryshime, dhe të bëhen ndryshimet me amandament shtesë, atëherë ne do të vazhdojmë grevën”, ka thënë Keqmezi.

Kryetari i kësaj sindikate, Ali Vitija ka thënë se kërkojnë rangim të njëjtë me zyrtarët tjerë të sigurisë, sikurse janë Policia dhe AKI-ja. Sipas tij, ndryshimi nga statusi i zyrtarit publik të informuar në shërbyes civil për zyrtarët e Doganës, bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe me misionin e Doganës.

Kurse, Kujtim Krasniqi, nënkryetar i Sindikatës, ka thënë se përmes këtyre kërkesave zyrtarët doganorë po mbrojnë të drejtën e tyre legjitime.

Kohëve të fundit në Kosovë, punëtorë të sektoreve të ndryshme publike janë në grevë, pikërisht për shkak të koeficientit të lartë në disa kategori dhe të ulët në kategori tjera. Sektori i arsimit ka hyrë në javën e tretë të grevës, ku po kërkojnë rritje të koeficientit. Për arsye të njëjtë, grevë kanë mbajtur edhe kirurgët.

Back to top button