Haradinaj: Ajeti la gjurmë në zhvillimet shoqërore e politike të Kosovës
Sipas Haradinajt, kalimi i Ajetit në amshim humbje për kulturën mbarëshqiptare
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vdekjen e akademikut, Idriz Ajetit e ka vlerësuar si humbje të madhe për botën shqiptare. Sipas Haradinajt, kontributi i Ajetit ishte i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të vërtetës së Kosovës.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar Facebook, Haradinaj ka shprehur ngushllimet për familjen dhe miqt e Ajetit.
“Bota shqiptare humbi sot njërin nga personalitetet më të ndritshme të historisë sonë të re, albanologun e shquar Idriz Ajetin. Gjatë 70 vjet karrierë shkencore, Akademik Ajeti la gjurmë të pashlyeshme në gjuhësinë dhe zhvillimet shoqërore e politike të Kosovës. Kontributi i tij në vitet ’90 ishte i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të vërtetës së Kosovës. Kalimi i tij në amshim është humbje për shkencën dhe kulturën mbarëshqiptare. Ngushëllime të thella familjes Ajeti, komunitetit akademik dhe miqve të shumtë” ,ka shkruar Haradinaj në Facebook.