Veseli: Kosovës i duhet një udhëheqje që fuqizon shtetin
Veseli ka folur për programin qeverisës të PDK-AAK-Nisma
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha të mërkurën në hapje të fushatës, se qershori është muaj i idealeve, muaj i madh i lirisë, UÇK-së dhe më 11 qershor do të jetë i bashkuar për një epokë të re të Fillimit të Ri.
Kosovës, sipas Veselit, sot i duhet një udhëheqje e re, e cila fuqizon shtetin, njeh miqtë dhe respekton ata, por edhe që i mban larg armiqtë e tij.
Kreu i PDK-së shtoi se nuk do të lejojnë të kthehet e kaluara. Veseli po ashtu tha se Fillimi i Ri buron nga të rinjtë, bujqit, gruaja, arsimtarët, profesorët, mjekët, pensionistët.
Lideri i PDK-së ka pyetur qytetarët, se a mund ta udhëheqin vendin konceptet si ata që nuk kanë guxim të marrin vendime dhe nuk e njohin Kosovën.Sipas tij Kosovës i duhet një lidership i guximshëm.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli po ashtu ka thënë se orientimet e tyre si platformë janë të qarta dhe konkrete duke u orientuar në ndërrmarësi dhe duke përkrahur bizneset e vendit.
Veseli tha se zhvillimi ekonomik gjatë qeverisjes së tyre do të rritet deri në 8 për qind, do të dyfishohen të punësuarit dhe se bujqësia do të jetë prioritet i tyre duke i subvencionuar fermerët dhe duke iu japur grante atyre.
Veseli po ashtu u ndal të rinia e vendit ku tha se, do të fuqizojnë rininë e vendit duke e përgatitur për tregun e punës pasi që ata janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit./21Media