Arrestime të reja në Britani

Policia në Britani ka njoftuar se ka arrestuar një 38 vjeçar në aeroportin Hithrou në Londër, për shkak të dyshimit se është i lidhur me sulmin me bombë në Mançester

Gjithashtu, po në Londër është arrestuar një 30 vjeçar, në kuadër të hetimeve për sulmin, i cili ndodhi të shtunën në kryeqytetin e Britanisë.

“Një mashkull është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer vepër terroriste dhe ai mbetet në paraburgim”, u theksua në komunikatën e policisë për arrestimin në Hithrou.

Muajin e kaluar, në sulmin vetëvrasës gjatë koncertit të këngëtares amerikane Ariana Grande në Mançester u vranë 22 persona ndërsa u plagosen mbi 100 të tjerë. Sulmi u ndërmor nga Salman Abedi.

Sa i përket arrestimit të personit të dyshuar për përfshirje në sulmin në Londër, policia njoftoi se është bastisur një banesë në lindje të qytetit dhe se është arrestuar një 30 vjeçar, për të cilin dyshohet se ka përgatitur dhe nxitur sulme terroriste.

Në sulmin e së shtunës 7 persona u vranë, ndërsa me dhjetëra tjerë u lënduan, pasi që tre meshkuj fillimisht hynë me automjet në mesin e këmbësorëve në London Brixh, e më pas në Borou sulmuan kalimtaret me thika. Policia vrau që të tre sulmuesit.

Ndërkohë, sipas anketës më të re në Britani, pjesa më e madhe e britanikëve janë të mendimit se politika e jashtme e Britanisë po rrit rrezikun nga terrorizmi.

75 për qind e të anketuarve janë të mendimit se intervenimet ushtarake në Irak, Afganistan dhe Libi, shtojnë rrezikun nga sulmet e përgjakshme terroriste në Britani.

Back to top button