Istogu edhe sivjet përkujdeset për familjet e pastrehë

Deri më tani janë ndërtuar 37 shtëpi 

Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me ministrin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenie Sociale, Arban Abrashi për realizmin e projektit për ndërtimin e shtëpive për familje të pastrehë, bën të ditur kjo komunë.

Me këtë rast, Rugova tha se komuna për vite me radhë ka bërë ndërtimin e shtëpive për familje të pastrehë dhe rasteve sociale por kësaj radhe do ta ketë edhe mbështetjen e Ministrisë, ku komuna do të participoj me 75 mijë euro dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me 20 mijë euro.

“Konsideroj që me këtë shumë do të ndërtojmë së paku 8 shtëpi mirëpo ne do ti përkrahin këto familje edhe me material ndërtimor siç kemi bërë vite me radhë”, tha Rugova.

Ndërsa, Abrashi falënderoi kryetarin Rugova i cili ka marrë iniciativë dhe ka ndarë fonde për ndërtimin e shtëpive dhe në këtë mënyrë ka ndihmuar edhe qeverinë përmes projekteve të bashkëfinancimit.

“Këtë mision fisnik në formë bashkëpunimi, ne nënshkruam sot një marrëveshje që nënkupton bashkimin e fondeve të ministrisë dhe komunës. Ky projekt do të ndihmoj në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të komunës së Istogut”, u shpreh Abrashi.

Deri më tash komuna e Istogut ka ndërtuar 37 shtëpi për familjet në nevojë, ku 2 nga to janë ndërtuar me donacione ndërsa të tjerat janë investim i komunës së Istogut./21Media

Back to top button