Çaushoglu në Shkup, shpreh mbështetje për çështjen e emrit

Ai tha se Turqia do ta mbështes Maqedoninë në çdo fushë

“Turqia do të mbështet Maqedoninë në rrugën e integrimit drejt BE-së dhe NATO-s”, theksoi ministri i punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavsoglu pas takimit në Shkup që kishte me homologun e tij, Nikola Dimitrov. Sipas tij, Maqedonia meriton anëtarësim në strukturat euroatlantike më shumë se vendet tjera të rajonit.

“Sa i përket çështjes e emrit është një padrejtësi e madhe që i bëhet Maqedonisë, prandaj ne do të forcojmë Maqedoninë që të arrihet një zgjidhje për të mirën e saj. Ne do të ndikojmë edhe në shtete e tjera që të ndihmojnë dhe ndërmjetësojnë në këtë çështje, jo për të bërë ndërhyrje, por për të lehtësuar zgjidhje, pasi që stabiliteti në këtë rajon është stabilitet i Evropës”, tha Mevlut Çavsoglu, Ministër i punëve të Jashtme të Turqisë.

Çavsoglu më tej theksoi se Turqia do të mbështet Maqedoninë në çdo sferë, duke marrë parasysh interesin tregtar që siç tha paraqet një pikë kyçe për raportet e tyre.

Ministri i punëve të  jashtme të Maqedonisë, Nikola Dimitrov tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ketë një ndikim në qetësimin dhe stabilitetin e rajonit, dhe se anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike nuk është në interes vetëm të Maqedonisë, por të gjithë rajonit.

“Ne kemi marrëveshje kohore që nga 1995-ta dhe vendim të gjykatës ndërkombëtare në Hagë nga viti 2011, kështu që nuk do të duhet të ketë problem për të marr ftesë për anëtarësim në NATO me referencë të përkohshme. Unë do të mundohem që t’i bind se kjo është në interes të Greqisë dhe do të mundohem që argumenteve juridike të ja u shtoj edhe ato politike. Besoj se anëtarësimi ynë në NATO do të ndikojë për stabilitet në rajon”, tha Dimitrov.

Gjatë këtij takimi dy ministrat folën edhe për marrëdhëniet ekonomike të dy vendeve, investimet e huaja si dhe mundësinë për bashkëpunim më të madh në të ardhmen. Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu gjithashtu sot është takuar edhe me Presidentin, Gjorgje Ivanov dhe me kryeministrin, Zoran Zaev, raporton TV21./21Media

Back to top button