Mustafa për Osmanin: Ulja në prehrin e kundërshtarit tonë është kapitullim

 

Përmes një video-incizimi, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmendi edhe Vjosa Osmanin për të cilën tha se ajo arriti dy pozita falë votave të LDK-së, e që më pas tradhtoi besimin e tyre dhe të qytetarëve.

“Fatkeqësisht kësaj valleje të dëmtimit të interesave të Kosovës ju bashkua edhe ish kandidatja jonë për kryeministre në zgjedhjet e fundit. Ajo u bë kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentes me votat e LDK-së, i mori të gjitha privilegjet dhe e tradhtoi besimin tonë dhe tuajin. E kuptoj dhe e miratoj nevojën e përhershme për ndryshime, për avansim të njerëzve të rinj, për mendje të re, për jetë demokratike. Por ulja në prehrin e një partie ekstreme të majtë kundërshtare e LDK-së, nuk është ndryshim, është kapitullim politik, njerëzor dhe etik”, tha Mustafa.

Mustafa u shpreh bindur se LDK do të vazhdojë të qeverisë me Kosovën edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Avdullah Hoti, kanë hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore./21Media

Back to top button