Vuçiqi reagon pas letrës së Bidenit

 

Presidenti i Srebisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për letrën që e ka pranuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në të cilën pos që e ka uruar për ditën e shtetësisë së Serbisë, Bideni, ka kërkuar edhe arritje të një marrëveshje me Kosovën, të përqendruar në njohje reciproke.

“Kam marrë urimet nga presidenti Biden, faleminderit për urimet. Sa i përket njohjes reciproke nuk thuhet në asnjë akt të organizatave ndërkombëtare. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar si zgjidhje përfundimtare dhe unë i kam thënë në fytyrë se çka mendoj për njohje reciproke”, ka thënë Vuçiq, raporton B92.

Ai ka shtuar se Serbia po e ruan paqen.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane./21Media

Back to top button