Simmons: EULEX-i bëri pak për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë
Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka thënë se është bërë shumë pak për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, ani pse në vitin 2014 ka zbuluar dokumente, ku përfshihen informata për të dyshuarit serbë dhe të gjitha të dhënat personale të viktimave kosovare.
Duke raportuar para Komisionit për Legjislacion, Simmons tha se qëllimi kryesor i punës së EULEX ndër vite në Kosovë ka qenë dënimet dhe jo procesi gjykues i drejtë.
”Këto krime janë bërë në Kosovë kundër banorëve të Kosovës nga njerëz me prejardhje etnike serbe, të cilët shumë prej tyren nuk janë qytetarë të Kosovës. Kur kam diskutuar këtë çështje me EULEX ata kanë thënë që autoritet serbe nuk i kanë resurset dhe vullnetin për t’i hulumtuar këto krime”, tha ai.
Ndryshe, që nga viti 2017 kur Simmons u largua nga misioni i EULEX-it, bëri akuza të shumta për keqpërdorime dhe ndikime politike në procese gjyqësore që udhëhiqeshin nga EULEX-i.
Një version krejt tjetër për akuzat e ish-gjyqtarit Simmons e ka Misioni Evropian për Sundim të Ligjit EULEX.
Në këtë mision kanë thënë se pas akuzave që bëri Simmons në vitin 2017, një ekip i pavarur hetimor i udhëhequr nga një gjykatës në pension i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë hetoi pretendimet e tij, por se ai dështoi që të mbështeste akuzat që kishte ngritur.
EULEX është misioni më i madh i dërguar jashtë vendi nga Bashkimi Evropian. Qëllimi i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë.
Që nga ardhja në Kosovë në vitin 2008 ky mision i ka kushtuar BE-së qindra miliona euro. Bazuar në vendimin e fundit të mekanizmave të BE-së, EULEX-i ka mandat deri më 14 qershor, 2023 duke pasur një mandat të kufizuar./21Media