Obiliqi me memorandum bashkëpunimi për promovimin e turizmit dhe hotelerisë

Komuna e Obiliqit dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHT) kanë nënshkruar të hënën memorandum bashkëpunimi me qëllim të promovimit të turizmit dhe hotelerisë në këtë komunë.
Marrëveshjen e nënshkruan kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, të cilët e vlerësuan lart këtë marrëveshje.
Gashi tha se në këtë mënyrë do të promovojnë turizmin dhe hotelerinë, teksa u shpreh se do të bashkëpunojnë në vazhdimësi me OHT-në në mënyrë që të avancojnë edhe më tutje projektet që lidhen me këtë fushë,
“Sot, unë falënderoj z. Sogojeva për lidhjen e memorandumit të bashkëpunimit me qëllim të promovimit të turizmit dhe hotelerisë. Ne si komunë do të jemi në vazhdimësi në bashkëpunim me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës. Shpresoj që kemi hapësirë në këtë drejtim, edhe të promovimit të turizmit, por edhe të hotelerisë”, tha ai.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva bëri të ditur se disa nga projektet në të cilat do të bashkëpunojnë me komunën e Obiliqit, janë edhe ato për ruajtjen e ambientit.
Ai po ashtu tha se do të fokusohen në zhvillimin e projekteve që lidhen me hotelerinë dhe turizmin, në mënyrë që të ofrojnë pako të ndryshme turistike për vizitorët vendorë dhe të huaj në destinacionet turistike të kësaj komune.
“Ne si odë, në bazë të kësaj marrëveshje të bashkëpunimit, të gjitha ato projekte që lidhen me zhvillimin e hotelerisë dhe turizmit në komunën tuaj dhe më gjerë, do t’i avancojmë. Në kuadër të komunës tuaj, do të zhvillojmë një destinacion që do të jetë i kapshëm për paketa të ndryshme turistike, me turistët si vendor, po ashtu edhe të jashtëm, duke përfshirë ‘Gurin e Plakës’, ‘Kalanë e Harilaqit’, lidhur me kompleksin ‘Adem Jashari’, që kish me qenë koncept një ditor ose dy ditorë, që ata të shohim prej afër atraksionet të cilat dominojnë, duke mos e lënë anash as Qyqavicën”, tha ai./kp

Back to top button