Kurti për ngushëllime te familjet Binakaj dhe Maloku, që humbën familjaret në Kroaci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot vizitoi për ngushëllime familjen e Valentina Zhubi-Binakajt, në fshatin Baballoq të Deçanit dhe të Gjylë Malokut në Junik, të cilat vdiqën të dielën e kaluar në aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë.
Kryeministri Kurti u shprehu ngushëllime familjarëve dhe i inkurajoi që të gjejnë forcë për ta përballuar dhimbjen që, siç tha ai, është dhimbje e mbarë popullit.
Siç informoi zyra e kryeministrit, familjarët e falënderuan kryeministrin për vizitën dhe për angazhimin e kujdesin që ka treguar Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Kroacisë për të lënduarit dhe për kthimin e trupave të më të dashurve të tyre në Kosovë. Kurse të lënduarve iu dëshiruan shërim të plotë.
Kryeministri Kurti tha se institucionet e Kosovës do t’ju qëndrojnë afër të lënduarve që të tejkalojnë më lehtë pasojat e aksidentit.
“Gjatë javës, kryeministri Kurti ka vizituar për ngushëllime edhe familjet e tetë viktimave të tjera të aksidentit fatal të autobusit me bashkatdhetarë, të cilët po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë.”, u bë  e ditur në komunikatë.
Ndryshe, më 25 korrik në Kroaci u aksidentua një autobus nga Kosova, i cili ishte duke udhëtuar nga Gjermania në Kosovë. Nga ky askident vdiqën 10 persona, ndërsa u lënduan dhjetëra të tjerë./21Media

Back to top button