Situatë problematike në Majën e Rrunës, flakët përfshijnë pjesën më të madhe të malit
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar se pas një pune të palodhur dhe të pandërprerë të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe punonjësve të shërbimeve zjarrfikëse e pushtetit vendor janë arritur të izolohen disa nga vatrat e zjarrit në vend, por ende mbeten aktive disa të tjera.
Në Karaburun puna po vijon për shuarjen totale të flakëve, por nuk ka asnjë rrezik.
Në Gjirokastër situata është stabilizuar, por mbetet aktive një vatër në fshatin Saraqinisht, e cila nuk paraqet rrezik.
Edhe zjarri në fshatin Gadurovë, në Mallakastër është nën kontroll dhe pa rrezikshmëri.
Tutje, Ministria ka bërë të ditur se zjarri në fshatin Cukal, në Shkodër vijon të jetë aktiv, por pa rreziqe të evidentuara. Kurse në malin e Shëngjinit, në Lezhë vatra është izoluar.
Zjarri në fshatin Kalis në Kukës po mbahet nën kontroll, ndërsa është eliminuar rreziku për shtëpitë.
Ndërkaq problematike situata e zjarrit vijon të jetë në Majën e Rrunës, në Kukës. Sipas Ministrisë, flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit, por situata po mbahet nën kontroll për të mos rrezikuar shtëpitë./21Media