Aktakuzë ndaj katër personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet L.K., A.K., M.B. dhe F.D.
Sipas aktakuzës, të pandehurit L.K., dhe A.K., në cilësinë e Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe në cilësinë e shoferit, nga janari i vitit 2018 e në vazhdimësi, në bashkëkryerje, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga personi me inicialet B.M., me qëllim të ushtrimit të ndikimit të tyre në vendimmarrje për uljen e dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të njëjtin. Me këtë të pandehurit kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 424 të KPRK-së. Po ashtu, të pandehurit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A.M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të Drejtorit të SKPK-së, ku me këtë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit me inicialet A.K., dhe M.B., kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Ndërsa, e pandehura M.B., ka pranuar nga i dëmtuari B.M., një veturë në vlerë prej 25.000€, andaj me këtë ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri L.K., ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Të pandehurit L.K., dhe F.D., kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cila iu vihen në barrë, të njëjtëve t’u shqiptohet dënimi plotësues-Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, konform nenit 59 lidhur me nenin 62 të KPRK-së dhe të bëhet konfiskimi i veturës si provë në këtë çështje penale./21Media