Qeveria merr vendim për strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka propozuar vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme nga Republika e Kosovës për qytetarët afganë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të qeverisë amerikane në Afganistan si dhe për familjarët e tyre. Ky vendim është një përpjekje e Kosovës të ofrojë ndihmën e saj duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare për ofrim të ndihmës kategorisë së personave të cilët gjenden apo mund të gjenden në rrezik, u janë shkelur të drejtat themelore për arsye të luftës dhe konfliktit në Afganistan.
“Ky vendim, i hap rrugë kësaj kategorie për një vend ku do të qëndrojnë përkohësisht, të sigurt, të gëzojnë të gjitha të drejtat themelore sipas legjislacionit tonë si dhe përkrahjen institucionale deri në krijimin e një zgjidhjeje afatgjate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Sveçla. Pamjet që po shohim sot, jo shumë kohë më parë ishin pamjet që i kemi jetuar vetë dhe mbrojtja që kemi propozuar të ofrojmë sot, është prezentuar dhe zbatuar si koncept pikërisht për ekzodin e refugjatëve kosovarë në vitet e 90’ për t’i dalë në ndihmë Kosovës, e cila sot ka vullnetin ta kthejë këtë të mirë”, thuhet ndër të tjera në postimin e Ministrit Sveçla në Facebook./21Media

Back to top button