Memeti: Gostivari duhej të ishte në karantinë
Gostivari duhej të vendoset në karantinë pasi që spitali është i stërmbushur edhe nuk ka vend për pacientët që kërkojnë ndihmë mjekësore. Kështu vlerëson specialisti i Infektologjisë në Spitalin e Gostivarit, Enes Memeti.
“Brenda kësaj periudhe ka pasur një gjendje të renduar edhe më vjen keq që qyteti i Gostivarit nuk ka një koordinim mes pushtetit lokal dhe ministrisë. Për mua i gjithë qyteti i Gostivarit është dashur të vendoset në karantinë. Momentalisht në repartin infektiv edhe në qendrën modulare ka 51 pacientë ku shumica e tyre, 33 pacientë janë me oksigjen terapi dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa katër nga ata edhe kanë vdekur”, tha Memeti.
Sipas tij, gjendja e atyre që kërkojnë ndihmë është rënduar.
“Gjendja atyre që kërkojnë ndihmë është rënduar. Besomë nuk dimë edhe ne ku t’i vendosim, pasi që gjithë reparti është i stërmbushur me pacientë tepër të rënduar, me ulje të saturacionit, gjendje të rëndë shëndetësore, a gjithë kjo ka ardhur si rezultat i mos respektimit të masave që është dashur që ne si individ, si njerëz t’i respektojmë”, u shpreh infektologu.
Pollogu vazhdon të jetë një zonë e kuqe sa i përket të infektuarve me COVID-19. Deri sa numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore është në rritje, ministria e Shëndetësisë akoma nuk ka ofruar asnjë ndihmë konkrete në spitalet e Tetovës dhe Gostivarit./TV21