Osmani: Ditë e rëndë sot, vaksinimi është mbrojtja e vetme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sot për vendin ishte një ditë e rëndë me 36 humbje jetësh të qytetarëve.
Në një postim në Facebook, presidentja ka shkruar se situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zinxhirin e infektimeve si mbrojtja e vetme dhe më e mirë.
“Ditë e rëndë sot për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë. Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit. Institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme. Situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zinxhirin e infektimeve. Kjo është mbrojtja e vetme dhe më e mirë. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë!”, ka shkruar Osmani./21Media