Shqipëria ishte bërë me mbret para 93 vjetësh
Sot mbushen 93 vjet kur Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë e shpalli Shqipërinë Mbretëri demokratike, parlamentare të trashëguar dhe Zogun I u shpall mbret i shqiptarëve.
Gjatë vitit 1920, Shqipëria po përjetonte një periudhë të zgjatur trazirash politike dhe destabiliteti. Pas zgjedhjeve të parakohshme të 25 gushtit 1928, deputetët e parlamentit nga Skrapari propozuan që Shqipëria duhet të shpallej sërish mbretëri. Ky propozim u pranua dhe u mor në konsideratë nga Asambleja Kushtetuese.
U ngrit një Komision Statutor, i cili propozoi një ndryshim regjimi nga Republikë në Mbretëri Kushtetuese. Ky propozim u miratua nëpërmjet një votimi më 30 gusht 1928 nga Asambleja Kushtetuese, e cila e shpalli Shqipërinë Mbretëri demokratike, parlamentare dhe të trashëgueshme.
Më pas u ngrit një komision i cili këtë vendim ia komunikoi Presidentit Ahmet Zogu, duke i ofruar atij fronin mbretëror.
Më 1 shtator 1928, vendimi i Asamblesë Kushtetuese hyri në fuqi. Nalt Madhnia e Tij, Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve, mbajti këtë betim me duart mbi Bibël dhe Kuran: “Unë, Zog I, Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh, se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do ti përmbahem Statutit e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë!”
Këtë ditë të veçantë sot e ka kujtuar edhe Princ Leka, i cili në rrjetet sociale ka publikuar disa fotografi në lidhje me këtë ditë speciale./21Media