Dorëzohet personi që sulmoi tri vajza në Prishtinë
Burri me inicialet L.V nga fshati Çifllak i Rahovecit që sulmoi fizikisht tri vajza në Prishtinë sot është dorëzuar në Stacionin e Policisë në Rahovec.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.
Sipas komunikatës, policia nga Stacioni policor- Rahovec ka kontaktuar më policinë nga Prishtina, të cilët kanë shkëmbyer informata dhe del se personi në fjalë kërkohet nga hetuesit lidhur më rastin e ndodhur dje në Prishtinë.
“Sot më datë 03.09.2021 i njëjti në përcjellje të avokatit mbrojtës është paraqitur në Stacionin policor – Rahovec dhe është në procedurë të pagesës së dënimeve – gjobave mandatorë, si dhe sot në përcjellje të policisë do të paraqitet para gjykatësit në një seancë dëgjimore të një rasti të mëhershëm”, thuhet në komunikatë.
Pas përfundimit të obligimeve ligjore që ka ndaj shtetit, i njëjti do të i dorëzohet në përkujdesje të policisë në Prishtinë./21Media