U gjetën mbi 10 kg drogë, ishte fshehur te kapakët e motorëve frigoriferikë
Policia e shtetit Shqiptar sot ka informuar se ka sekuestruar 10 kg e 185 gramë lëndë narkotike, e dyshuar kokainë, në një nga kontenierët e firmës “Alba Exotic Fruit”.
Siç ka informuar policia, në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit është gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë, në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme.
“Në vijim të operacionit “Rada”, mesditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontenierët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontenierëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.”, ka informuar policia./21Media