Grupi i Bankës Botërore konfirmoi mbështetje për Qeverinë e Kosovës
Në kuadër të takimeve vjetore të Bankës Botërore, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati mbajti takim bilateral me zëvendës-presidenten e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Anna Bjerde, me të cilën bisedoi rreth gjendjes makrofiskale dhe konsolidimin fiskal në Kosovë.
Siç u bë e ditur në një komunikatë për media, një theks i veçantë gjatë diskutimeve iu dha planit zhvillimor të Qeverisë së Kosovës, si dhe projekteve aktuale dhe të mundshme me Bankën Botërore mbi investime infrastrukturore që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Grupi i Bankës Botërore konfirmoi mbështetjen e tyre për Qeverinë e Kosovës, ndërsa ministri Murati theksoi rëndësinë e zbatimit të projekteve dhe e ftoi Bankën që bashkërisht të punojnë drejt realizimit të tyre sipas afateve të caktuara në marrëveshjet financiare.
Për shkak të pandemisë, takimet vjetore mbahen kryesisht virtualisht dhe mundësojnë diskutime mes Bordit të Guvernatorëve të Grupit të Bankës Botërore, FMN-së, bankat qendrore, ministrat e financave, sektorin privat, e shoqërinë civile mbi zhvillimet ekonomike, eliminimin e varfërisë etj.