12 gra në mesin e 180 rekrutëve të FSK-së që u betuan sot
Sot është mbajtur ceremonia e betimit të 180 rekrutëve të rinj, ku në mesin e tyre ishin edhe 12 gra.
Ceremonia e rekrutëve të rinj u mbajt në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ”Skënderbeu” në Ferizaj.
Prezent në këtë ceremoni ishin Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendorë e ndërkombëtarë.
Me këtë rast, Presidentja Osmani e ka cilësuar këtë ditë shumë të veçantë, duke thënë se ushtarët do të jenë kudo që rrezikohet interesi i vendit por edhe të aleatëve të shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, edhe Kryeministri Kurti, iu drejtua rekrutëve të rinj duke u thënë se Ushtria jonë duhet të forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin.
Ndërsa edhe komandantja e KDS-së, gjeneral brigade, Irfete Spahiu ka theksuar se kjo gjeneratë e rekrutëve është një nga gjeneratat me rezultatet më të mira që ka pasur KDS dhe se ka vendosur një standard të ri të performanës.
”Çertifikimi i 180 ushtarëve të rinj është në kuadër të ngritjes dhe zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të nevojshme operacionale, bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së”, ka thënë ajo./21Media