Laporta prezanton trajnerin e përkohshëm, tregon pse u hoq Koeman
Barcelona nuk ka pritur gjatë për t’u rikthyer në normalitet pas shkarkimit të Ronald Koeman teksa presidenti, Joan Laporta doli në një konferencë për shtyp me trajnerin e përkohshëm, Sergi Barjuan. Ish mbrojtësi katalanas, që drejtonte ekipin e të rinjve nis punën e re të përkohshme teksa u shpreh i nderuar.
“Jam i kënaqur që mu dha kjo mundësi edhe pse në një situate komplekse. Është e lehtë të luash dhe të ndërtosh një ekip me lojtarë të tillë. Barcelona ka nevojë për alegri dhe për futboll, e rëndësishmja është të jemi të bashkuar bashkë me tifozët. Unë jam një fitues dhe dua të fitoj në çdo moment që jam këtu”, tha Barjuan.
Më pas foli edhe presidenti Laporta i cili në një anë shprehte admirimin për Xavin e në anën tjetër konfirmoi se ka disa opsione veç tij për stolin e Barcelonës.
“Ndaj Alaves dhe Dinamos së Kievit në mesjavën e ardhshme, trajner do të jetë Sergi Barjuan, pasi duam të mos mbetemi mbrapa në kampionat. Nuk mund të zbuloj emrat e kandidatëve për trajner, pasi është jo profesionale, por ju garantoj se po punojmë për të nënshkruar. Kemi disa opsione dhe Xavi nuk është i vetmi opsion. Ai po bën shumë mirë te Al Sadd dhe të gjithë më flasin mirë për të. Për më tepër, edhe unë vetë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë këtyre dy muajve, madje edhe gjatë fushatës për president dhe ai e di mirë organikën që kemi në dispozicion dhe çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga kjo situatë, megjithatë nuk ka ende një marrëveshje”, tha Laporta.
Lidhur me shkarkimin e Koeman, Laporta tha se nuk mund të vazhdonte më pasi situata po përkeqësohej më shumë.
“Gjërat dukej që nuk po shkonin mirë, megjithatë për këtë e marr unë përgjegjësinë. Pasi e konfirmova herën e parë, ne mposhtëm Valencian dhe Dinamon e Kievit, por së fundi situata u bë e papranueshme. E di që erdhi në një moment të ndërlikuar të klubit, ka qenë njeri i këtij klubi, dhe i jemi mirënjohës. Për largimin e tij vendosën rezultatet”, përfundoi Laporta./oranews
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?