Mbi një milionë euro në xhepat e deputetëve dhe asistentëve

Për vetëm 76 ditë pune, deputetët e legjislaturës së dhjetë dhe asistentët e tyre i kushtuan buxhetit të shtetit 1 milion e 126 mijë e 154 euro.
Një numër i tyre do të marrin edhe pagën kalimtare pa bërë asnjë punë, por Kuvendi i Kosovës nuk bëri të ditur se sa dhe cilët deputetë kanë aplikuar për këtë pagë.
“Shuma e përgjithshme e pagave të deputetëve të Legjislaturës X të Kuvendit ka qenë 936,256.90 euro, ndërsa e stafit mbështetës politik 189,898.39 euro. Lidhur me aplikimin për pagë kalimtare, ndërkaq, afati nuk është mbyllur ende”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit për RTV21.
Përveç deputetëve të legjislaturës së dhjetë, pagën kalimtare po vazhdojnë ta gëzojnë edhe një pjesë e deputetëve të legjislaturës së nëntë.
Kuvendi i Kosovës tha për RTV21 se nga dhjetori i vitit të kaluar deri në prill të këtij viti, për paga kalimtare të deputetëve u shpenzuan mbi 431 mijë euro. Në këtë shumë përfshihen edhe deputetët që janë rizgjedhur deputetë dhe që më pas kanë marrë pagë të rregullt, e jo kalimtaren.
“Aktualisht, 15 deputetë të Legjislaturës IX janë duke e gëzuar të drejtën për pagë kalimtare. Shuma e përgjithshme e pagave të tyre për periudhën dhjetor 2025 – prill 2026 është 431,203.29 euro”, tha për RTV21 Drejtoria për Informim e Kuvendit të Kosovës.
Mandati i deputetëve të legjislaturës së dhjetë nisi më 11 shkurt dhe përfundoi më 28 prill pas dështimit të tyre për zgjedhjen e presidentit të ri, gjë që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?