Pacolli: Dhimbje e madh për humbjen tragjike të bashkëkombësve tanë

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas aksidentit që ndodhi sot në Bullgari ku një autobus u përplas dhe mori flakë duke i marrë jetën 46 personave.
Pacolli përmes një postimi në “Facebook”, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.
“Dhimbje e madh dhe trishtim për humbjen aksidentale tragjike të jetës së bashkëkombësve tanë nga Maqedonia e Veriut. Në këto çaste shumë të rënda i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Lutem dhe uroj shërim sa më të shpejtë dhe të plotë për të mbijetuarit!”, ka shkruar ai.
Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona.
Shkaku i përplasjes është duke u hetuar. Në raportimet lokale është thënë se autobusi mund të ketë goditur një parmak.
Incidenti ka ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes, në orët e para të mëngjesit të së martës.
Një zyrtar nga spitali në Sofje ka thënë se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi. Gjendja e tyre është stabile.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, së bashku me ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipç, kanë shkuar në Bullgari.
Në disa raportime të pakonfirmuara është thënë se pjesa më e madhe e pasagjerëve kanë qenë shqiptarë dhe jo maqedonas.
Bullgaria është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.
Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë./21Media

Back to top button