U nënshkruan pesë marrëveshje për bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë
Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri në kulturë e trashëgimi, përpos dy marrëveshjeve që u nënshkruan të premten, u konkretizua edhe me pesë marrëveshje të tjera që i hapin rrugë forcimit të raporteve mes institucioneve kombëtare të kulturës e të trashëgimisë kulturore të të dyja vendeve tona.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Kulturës, marrëveshjet që u nënshkruan në takimin mes dy delegacioneve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, janë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, protokoll bashkëpunimi ndërmjet Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit – Ansamblit Popullor (TKOBAP) të Republikës së Shqipërisë, marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia të Shqipërisë dhe Parkut Arkeologjik Ulpiana të Kosovës dhe marrëveshje bashkëpunimi mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.
Ministri Çeku tha se janë bashkë në Tiranë për të shprehur përkushtimin e dy ministrive tona drejt thellimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Në anën tjetër, ministrja Margariti u shpreh se është mjaft domethënëse që Kosova dhe Shqipëria në vigjilje të Festës së Flamurit bashkojnë shqiptarët kudo ku janë, ngase institucionet tona angazhohen bashkë për të promovuar kulturën, të bukurën shqiptare, ajo çfarë na bën unike në hartën e kombeve.
Tutje, në vazhdën e takimit të përbashkët, u nënshkruan marrëveshjet nga titullarët e institucioneve gjegjëse.
Drejtorët e Bibliotekave Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, Fazli Gajraku, respektivisht Piro Misha nënshkruan marrëveshjen e parë që parasheh bashkëpunimin mes institucioneve në fjalë. Marrëveshja, ndër tjerash, përfshin grumbullimin, pasurimin, ruajtjen, mirëmbajtjen e trashëgimisë kombëtare të shkruar dhe të shtypshkruar, promovimin, shkëmbimin e botimeve dhe të informacionit, organizimin e veprimtarive bibliotekare, organizimin e Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë si dhe shkëmbimin e përvojave bibliotekare.
Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, bashkë me Ornela Durmishaj, Drejtoreshë e Parkut Arkeologjik Apolonia, nënshkruan Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Parkut Arkeologjik Ulpiana të Kosovës dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia të Shqipërisë; kurse Protokollin e bashkëpunimit ndërmjet Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit – Ansamblit Popullor (TKOBAP) të Republikës së Shqipërisë e nënshkroi sekretari Bislimi dhe drejtoresha Zana Çela.
“Në marrëveshjen për bashkëpunim mes institucioneve të operës, filarmonisë dhe ansambleve parashihet të bëhet krijimi i kushteve për realizimin e përbashkët të performansave të institucioneve në fjalë duke shfrytëzuar hapësirat dhe kapacitetet shtesë të njëri-tjetrit. Ndërkaq, në marrëveshjen për parqet arkeologjike përcaktohen format e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të këtyre parqeve; shkëmbimin e përvojës dhe kuadrit profesional-shkencor; hulumtime të përbashkëta; organizimin e ekspozitave arkeologjike; qasje në laboratorët e Parqeve me qëllim të kryerjes së analizave laboratorike”, u bë e ditur në komunikatë.
Ajet Leci, drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë nënshkruan marrëveshjen për muzetë. Bashkëpunimi pritet të zhvillohet në ekspozita të ndërsjella të materialeve dokumentare dhe formave tjera, realizimin e ngjarjeve të përbashkëta që shënojnë data të rëndësishme të historisë dhe kulturës kombëtare, shkëmbimin e botimeve dhe të kuadrit profesional si dhe aftësimin e tij dhe ekspeditat e përbashkëta shkencore.
Marrëveshjen e fundit në vargun e dokumenteve që u nënshkruan sot ishte marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë që i nënshkruan Bedri Zyberaj, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë dhe Ardit Bido, Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë. Marrëveshja parasheh shkëmbimin e specialistëve të veprimtarisë arkivore dhe unifikimin e shërbimit me qëllim studimor, zhvillimin e sistemeve softuerike “Arkiva online”, “Arkiva onsite” dhe të sistemit elektronik për elemente financiare që të interesuarit që marrin shërbime arkivore, pagesat për shërbimet e kryera t’i kryejnë në mënyrë elektronike.