Financohet projekti për trajtimin e personave me nevoja të veçanta

Me votimin e buxhetit nga Kuvendi i Kosovës për Shërbimin Korrektues të Kosovës do të financohet Projekti për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, vlera totale e projektit është 412.924.
“Institucioni Shëndetësor për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, do të jetë i vendosur në Qendrën Korrektuese të Dubravës dhe do të mbulojë shërbimet shëndetësore të personave të privuar nga liria, veçanërisht grupeve të ndjeshme me nevoja të veçanta, personat që kanë rrezik vetëvrasje dhe çrregullime akute, të përkohshme, mendore, trajtimi i varësive, trajtimi zëvendësues terapia okupuese dhe rehabilitimi, ku pa rrezikuar sigurinë do të ofrohet kujdes shëndetësor adekuat profesional”, thuhet në një komunikatë të dërguar për media nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Institucioni do të mundësoj trajtim human, dinjitoz, profesional dhe adekuat për këto kategori të personave me nevoja të veçanta. Shërbimi Korrektues i Kosovës së bashku me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve dhe partnerët ndërkombëtarë, do të punojnë në vendosjen, sistemimin dhe akomodimin për trajtimin e kësaj kategorie në bazë të nevojave dhe kërkesave të tyre, çdo herë duke u mbështetur në standarde të afirmuara ndërkombëtare dhe praktikat më të mira.
“Për realizimin e këtij projekti, Shërbimi Korrektues i Kosovës, falënderon Ambasadën Amerikane, EULEX-in dhe Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, e veçanërisht Ministren, Albulena Haxhiu, për mbështetjen dhe përkrahjen e fuqishme, falë së cilës projekti tashmë po realizohet”, thuhet tutje në komunikatë.
Kuvendi i Kosovës javën e kaluar ka miratuar në lexim të dytë projektbuxhetin për vitin 2022. Buxheti është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës me 65 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim. Buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është 2 miliardë e 748 milionë euro./21Media 

Back to top button