Tensionet Poloni – Bjellorusi, OKB u kërkon palëve të adresojnë “situatën e tmerrshme” në kufij

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, u ka bërë thirrje Polonisë dhe Bjellorusisë që të adresojnë “situatën e tmerrshme” dhe të përmirësojnë “kushtet e rënda” për personat në kufi, duke thënë se disa prej tyre janë duke u kërcënuar apo rrahur nga forcat bjelloruse të sigurisë.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, bëri të ditur se Bjellorusia dhe Polonia janë duke endur migrantët poshtë e lart përgjatë kufijve të tyre, dhe shumë herë ata përballen me mot të ftohtë, pa ushqim, ujë të pastër apo strehë të sigurt. Refugjatët dhe migrantët, të cilët janë intervistuar nga një ekip i OKB-së në Poloni në nëntor dhe dhjetor, kanë thënë se janë përballur me dhunë dhe kërcënime nga Bjellorusia, si dhe kanë qëndruar të uritur në të ftohtë, tha Elizabeth Throssell – zëdhënëse e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
“Kushtet janë të rënda në të dyja anët e kufirit, me çasje të limituar në ushqim, ujë të pastër e strehim, shpesh mes temperaturave të ngrira. Në bjellorusi migrantët shpesh janë rrahur dhe janë detyruar të kalojnë kufirin”, shtoi ajo.
Bashkimi Evropian e akuzon liderin autoritar bjellorus, Alyaksandar Lukashenko, se është duke marrë migrantët në Bjellorusi, të cilët i shtynë më pas në kufi me vendet e BE-së si Polonia, Letonia dhe Lituania, si shenjë hakmarrjeje për sanksionet që i ka vënë blloku evropian për shtypjen e protestave, pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, pasi perëndimi e konsideron të manipuluar këtë proces zgjedhor. Bjellorusia nuk e ka pranuar se ka shkaktuar krizën në kufi dhe ka fajësuar Bashkimin Evropian për katastrofë humanitare në zonën afër kufijve.
Zyra e OKB-së për të Drejta të Njeriut tha se të dy shtetet kanë parandaluar qasjen në zonën kufitare për stafin e saj. Në Poloni, ekipi i OKB-së ka intervistuar njerëz që kanë kaluar kufirin në muajt e kaluar, derisa në Bjellorusi nuk i është mundësuar qasja. Një zëdhënës për shërbimet speciale të Polonisë ka thënë se shteti i tij është duke vepruar brenda ligjit dhe se janë marrë veprime për të mbrojtur kufijtë e shtetit./21Media

Back to top button