Molliqaj paralajmëron: Vazhdojmë, protesta, aksione, tubime
Kryetari i Partisë Socialdemokrate(PSD), Dardan Molliqaj është deklaruar pas protestës që mbajtën sot kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.
Molliqaj ka paralajmëruar edhe protesta, aksione e tubime të tjera.
“Ishin shumë, dhe shumë të vendosur. Nuk pranojmë çmime të rritura për llogari të KESCO-s. Qytetarët folën sepse vepruan. U bashkuam në shesh dhe manifestuam kundër trinomit Qeveri-KESCO-ZrrE. Vazhdojmë: protesta, aksione, tubime”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Aktivistë dhe qytetarë pas përfundimit të protestës kanë hedhur poqa elektrik dhe qirinj në drejtim të objektit të ekzekutiv.

Në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë nga Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet e Kosovës. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për amvisëritë, por jo për bizneset. Qeveria ka ndarë 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë.
Ja sa do të paguani sipas propozimit të ZRRE-së:
Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.
Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.
Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.
Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.
Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro. /21Media