Poezia “Pengu i lirisë” fituese e çmimit ‘Pena e Flakës 2002’
Poezia e Alketë Spahiut, me titull “Pengu i lirisë” është shpallur fituese e çmimit kryesor në “Ora e madhe letrare” të shtyllës “Pena e Flakës” në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2022”. Juria e përbërë nga Ramadan Mehmeti, Sabile Keçmezi – Basha dhe Sinan Sadiku, ka qenë unanime në vlerësimin final për shpalljen e fituesit të poezisë më të mirë të lexuar në “Ora e madhe letrare”.
Siç ka informuar komuna e Gjilanit, në emër të jurisë, Dr. Sabile Keçmezi – Basha, ka prezantuar vendimin, duke potencuar se disa nga poezitë konkurruese pjesëmarrëse kanë qenë të botuara paraprakisht, ndaj si të tilla janë eliminuar me automatizëm nga konkurrenca, ndërsa poezia më e mirë e lexuar në “Ora e madhe letrare” është shpallur “Pengu i lirisë” i autores Alketë Spahiu.
Në emër të jurisë vlerësuese, Sabile Keçmezi – Basha ka vënë në dukje se cilësia e prurjeve të këtij edicioni ka qenë në nivel të kënaqshëm, sikurse edhe konkurrenca, për të cilën ka thënë se ka qenë jashtëzakonisht e fortë dhe në numër të madh.
Në kuadër të pjesës letrare të manifestimit, juria e konkursit anonim letrar, në përbërje: Prend Buzhala, Emin Azemi e Albina Idrizi, ka ndarë çmimet në prozë e poezi për krijimet më të mira si vijon: Çmimin e parë e ka fituar poezia “Legjendë tingujsh” me shifër “Itaka”, vendin e dytë e ka fituar poezia “Fjalët për një këpucë të humbur” me shifër “këpuca e gjetur”, kurse vendi i tretë i ka takuar poezisë me shifrën “Flokë të arta” e me titull “N’ikje”. Ndërsa në prozë, tregimi “Dritëhije e Prishtinës” me shifrën “Janari” ka zënë vendin e parë. Vendi i dytë i ka takuar tregimit me titull “Tundimet e Shën Arturit” me shifrën “Dora d’ Istria”, ndërsa ai me shifrën “Intuita” e me titull “Makthi cullak” ka zënë vendin e tretë.
Siç është bërë e ditur edhe ky edicion i “Pena e Flakës” do të përgatitet dhe botohet në një botim të veçantë në revistën letrare “Agmia”, në të cilën, përveç krijimeve fituese nga konkursi anonim dhe nga “Ora e madhe letrare” do të botohen edhe një numër syresh, të cilat, sipas komunikatës, janë vlerësuar nga komisioni si punime të denja e me nivel të kënaqshëm letrar/artistik: “Më thuaj shpesh”, shifra “Perla”; poezia me titull “Për një ditë marsi” me shifrën “Janari”; pastaj poezia “Nata” me shifrën “24 pjesët e natës”; poezia “Mjekrës së thinjur të kohës” me shifrën “15012017”; poezia “Blegërima e harresës” me shifër “Harrestar në Horoskop”; poezia e radhës me titull “Jetëshkrim manekinësh” me shifrën “Manekini”, si dhe poezia “Kurrë lumë” me shifrën “1980”. /21Media