Pas arratisjes së Millan Radojiçiqit, IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë
Inspektorati Policor i Kosovës sot ka informuar se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë, të cilët në pikë kontrollin e pikës kufitare në Bërnjak nuk e kanë arrestuar Milan Radojiçiq.
“IPK mbrëmë ishte njoftuar nga Policia e Kosovës rreth një incidenti i cili kishte ndodhur në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorinë Rajonale Kufitare Veriu ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (me inicialet M.R) dhe i njëjti kishte rezultuar si person i kërkuar. Personi i kërkuar dyshohet se ka vozitur veturën e tij mbrapa dhe është kthyer prapë në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur tek zyrtarët policorë të pikë kalimit kufitar.”, ka informuar IPK.
Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndryshe, mbrëmë është raportuat se Milan Radojçiq i është arratisur Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.
“Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, është bërë e ditur në raportin e Policisë.
Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që ka qenë duke e hetuar çështjen. Pas një kohe, Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar./21Media