Shpenzoi 870 euro për karburante, Pal Lekaj flet për RTV21

Mbrëmë në media janë publikuar emrat e deputetëve që kanë shpenzuar më së shumti para nga buxheti i shtetit për mbulimin e shpenzimeve të karburantit gjatë periudhës nëntor-dhjetor të vitit 2021.
Në këtë listë është edhe deputeti e AAK-së, Pal Lekaj.
Lekaj për portalin rtv21.tv ka dhënë 4 arsye për shpenzimin e 870 eurove gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 2021, duke shtuar se këto ditë “padrejtësisht” u lakua emri i tij për shpenzimet e larta të karburantit.
“Këtu ka vetëm një të vërtetë të përcjellur me disa fakte: E para, aktivititeti im i vazhdueshëm dhe intenzivë pranë qytetarëve dhe ndaj institucioneve siç është Kuvendi dhe Komisionet ka bërë që unë jam katër herë i zgjedhur si Deputet i Kosovës, pasi kam marrë besimin e qytetarëve E dyta, unë jam banor rezident i Gjakovës, saktësisht në fshatin Novosellë E treta, Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, parasheh edhe të drejta shtesë të deputetit përfshirë mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit brenda dhe jashtë vendit me detyrë zyrtare, ku shprehimisht Rregulla 6.1 thotë që deputeti i cili udhëton zyrtarisht jashtë ose brenda vendit – jashtë vendbanimit të tij, qoftë individualisht ose në përbërje të delegacionit që e përfaqëson Kuvendin ose trupat e tij, i takon kompensimi i shpenzimeve të qëndrimit, të udhëtimit si dhe mëditja”, ka thënë Lekaj.
Si arsye të katërt, deputeti i AAK-së i ka përmendur aktivitetet e zhvilluar gjatë asaj periudhe.
“Komisioni për Ekonomi 13 mbledhje te Komisionit 3 mbledhje te grupeve punuese 2 dëgjime publike; – Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere 10 mbledhje të Komisionit 1 dëgjim publik; – Kuvendi i Kosovës 10 seanca të mbajtura(ku secila ka zgjatur nga 2-3 ditë për shkak të numrit të madh të pikave të rendit të ditës)”, ka thënë Lekaj.
Pal Lekaj gjatë periudhës nëntor-dhjetor ka shpenzuar 870 euro për karburant. Po ashtu edhe deputetja, Dude Balje ka shpenzuar 870 euro për mbulimin e shpenzimeve të karburantit.
Shpenzime  kanë pasur edhe deputetët e VV-së të cilët thonë se pas kësaj do të heqin dorë nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit./21Media
 

Back to top button