Policia del edhe me një arsyetim pse s’arritën ta kapin Radojçiqi
Të enjten pasdite, Milan Radojçiq i është arratisur Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.
Pas vendimit të Inspektoratit Policor të Kosovës që rekomandoi suspendimin e tre zyrtarëve policorë lidhur me këtë çështje, Policia e Kosovës doli me një komunikatë zyrtare ku tregoi si iu iku Radojçiqi.
“Zyrtarët kufitar sipas detyrave dhe procedurave të kontrollit kufitar, kanë ndaluar automjetin dhe kanë filluar procedurat e regjistrimit dhe verifikimit të automjetit dhe personave në automjet. Gjatë realizimit të detyrave policore, zyrtarët kufitar kanë kërkuar nga personi (vozitësi) që të parkojë automjetin në vend parking, për të vazhduar me procedurat e mëtejme policore, mirëpo vozitësi gjatë parkimit me veturë është larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Në reagimin e Policisë thuhet se duke pasur parasysh pikën kufitare të integruar si pikë kufitare e përbashkët dhe mundësisë për të kaluar shpejtë në pjesën e Serbisë, zyrtarët policorë nuk kanë arritur që ta ndalojnë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka rekomanduar të iniciohet rasti pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës.
Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që ka qenë duke e hetuar çështjen. Pas një kohe, Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar./21Media