Takim opozitar kundër shtrenjtimit të rrymës
PSD do të ftojë në një takim për të premten të gjitha partitë parlamentare e jo parlamentare opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile, sindikatave të ndryshme dhe personat publik e jopublik që janë të interesuar që bashkërisht ta kundërshtojnë vendimin për rritjen e çmimit të rrymës.
Kështu bëri të ditur kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj përmes një postimi në Facebook. Molliqaj theksoi se në takim do të vendoset për hapat dhe mënyrën e kundërshtimit.
“Rendi i ditës: Diskutimi i formave të kundërshtimit të vendimit të ZRRE për rritjen e çmimit. Të shqetësuar me vendimin e ZRRE-së ku çmimi i energjisë elektrike rritet për 100%. Pas disa javësh kundërshtimesh të propozimit të parë, aksione simbolike, konferenca e protestë të fuqishme, qeveria nuk reflektoi.Vendimi i ri është pothuajse i njëjtë me të vjetrin. Përsëri nuk preken bizneset, dhe përsëri buxheti i republikës dëmtohet me 100 milionë euro dhe po ashtu për një pjesë të madhe të qytetarëve rritet fatura në fund të muajit. Në këtë krizë energjetike, të gjithë po humbim, vetëm KEDS dhe KESCO po vazhdon fitimin. Rritja e energjisë e papranueshme. Kundërpërgjigja opozitare e domosdoshme”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Takimi do të mbahet më 11 shkurt, duke filluar nga ora 13:00.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike përplasi pushtetin e opozitën sot në Kuvend. Këta të fundit kanë lëshuar sallën e seancës pasi nuk ka pasur kuorum për ta futur në rend dite si mocion urgjent procedural për debat parlamentar, shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar sot vendosjen e bllokut tarifor në 800 Kw. Konsumatorët që shpenzojnë rrymë më shumë se 800 kilovat, tarifa për ta do të jetë 12 centë më e larta dhe 6 centë më e lira./21Media