Kurti tha se 70.4 % të konsumatorëve shtëpiakë nuk do t’i prekë shtrenjtimi i energjisë elektrike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot arsyetoi vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Para mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se 70.4% e konsumatorëve shtëpiak nuk do t’i prek rritja e çmimit të energjisë elektrike ose do të jetë minimale.
Ai tha se vetëm gjatë dy muajve të fundit kanë importuar 40% të energjisë elektrike dhe kjo formë, sipas tij është e papërballueshme për buxhetin e shtetit.
Ai tha se çmimet e importit të energjisë elektrike nuk pritet të rikthehen në shifrat e mëparshme dhe vendi duhet të vazhdojë të importojë energji elektrike, andaj, siç tha ka një hendek që duhet mbuluar.
“Gjatë muajve të dimrit na është dashur të importojmë rreth 40 për qind të energjisë elektrike që kemi konsumuar dhe me çmime të importit rreth shtatë herë më shtrenjtë se zakonisht. Vetëm për një ditë në muajin janar kemi paguar 2.5 milionë euro për import të energjisë elektrike. Në dy muajt e fundit kemi subvencionuar konsumin nga importi. Kemi mundësuar që të kemi furnizim të pandërprerë të rrymës, kështu që kriza që na ka prekur si vend të mos ndjehet nga qytetarët[…]Një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme dhe pa qëndrueshme për buxhetin e shtetit tonë. Gjatë këtyre muajve, çmimet e importit të energjisë elektrike nuk pritet të kthehen në shifrat e mëparshme. Sivjet duhet të vazhdojmë të importojmë energji elektrike, andaj kemi një hendek të kushtueshëm që duhet të mbulojmë”, shtoi Kurti.
Duke iu kundërpërgjigjur kritikave, kryeministri Kurti tha se ose duhet ndodhur mrekullia dhe të zhduket kriza ose të subvencionojë plotësisht qeveria importin. E para tha është e papërballueshme, ndërsa e dyta e pamundur.
“Kur kërkohet që mos të ketë rritje të energjisë elektrike në një kohë që po shpenzojmë më shumë se po prodhojmë dhe kur çmimet e importi janë më të larta se zakonisht, po kërkohet ose shtetit të subvencionoj plotësisht importin e energjisë, ose mrekullisht të zhduket kriza energjetike. E para është e papërballueshme e dyta është e pamundur. Nga fillimi i krizës deri tani kemi ndarë 120 milionë euro”, përfundoi ai.
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike-KESCO sot ka dhënë shpjegime rreth tarifave të reja të miratuara nga bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji-ZRRE, për tarifat e reja të energjisë, që do të hyjnë në fuqi nga data 9 shkurt deri me 31 mars të vitit të ardhshëm.
KESCO ka bërë të ditur se për konsumin deri në 800 kWh nuk ka rritje. Pra, kjo vlen për të gjithë konsumatorët dhe të gjithë do të vazhdojnë të paguajnë njëjtë për 800 kWh e parë.
Bllok-tarifa që fillon nga shpenzimi mbi 800 kWh e tutje, sipas KESCO-s do të afektojë rreth 22% të konsumatorëve. Pra, për 78% të konsumatorëve nuk do të ketë fare rritje.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar dje vendosjen e bllokut tarifor në 800 kW.

Konsumatorët që shpenzojnë rrymë më shumë se 800 kilovat, tarifa për ta do të jetë 12 centë më e larta dhe 6 centë më e lira. Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu ka njoftuar se bllok-tarifa për bizneset nuk do të ketë.
Back to top button