Vjedhja nga Thesari i Shtetit, Labinot Gruda pranon fajësinë
Në rastin e njohur si 2 milionshi, për vjedhjen nga Thesari i Shtetit, i akuzuari Labinot Gruda pranoi fajësinë lidhur me akuzat se e dëmtoi buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.
Gruda u deklarua fajtor për të gjitha pikat e akuzës në seancën e mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Së bashku me Grudën akuzohet edhe Kadri Shala. Avokati i këtij të fundit, Florent Latifaj, propozoi që seanca të shtyhet për një datë tjetër, në mënyrë që të konsultohet me të mbrojturin e tij, meqenëse tashmë kanë ndërruar rrethanat.
Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua nga prokurori Valdet Gashi, dhe si i tillë u aprovua nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Arben Hoti.
Gjykatësi Hoti gjithashtu aprovoi propozimin e avokatit Latifaj për shtyrjen e seancës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.
Në aktakuzë thuhet se Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.
Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”./Betimi për Drejtësi