U arrestua 30 vjeçari që u përfshi në tri grabitje të armatosura dhe në një tentim grabitje
Një 30 vjeçar, shtetas i Kosovës është arrestuar sot për grabitje të armatosura, të ndodhura sivjet në Lakrishte dhe Emshir.
Ndaj të dyshuarit, L.S, me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
“Progresi i hetimit policor për këto raste ka rezultuar me ndërmarrjen e një operacioni nga ana Hetuesve Rajonal, të cilët kanë arrestuar personin e dyshuar; L. S, mashkull, 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka qenë i përfshirë në tri raste të grabitjeve të armatosura dhe një tentim grabitje. Raste këto të ndodhura gjatë këtij viti, në lagjen Lakrishte dhe Emshir.”, ka informuar Policia.
Policia në vendbanimin e të dyshuarit ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, 14 fishekë si dhe gjësende të tjera që mund të shërbejnë si prova për rastet.
Ndryshe, po vazhdon puna hetimore për zbardhjen e plotë të dyshimeve të ngritura për implikimin e të dyshuarit edhe në disa raste të tjera që po hetohen nga ana e policisë./21Media
