SHBA-ja thotë se diplomacia është ende e hapur për t’i dhënë fund përplasjes Ukrainë-Rusi

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se rruga diplomatike mbetet e hapur për t’i dhënë fund përplasjejes në mes Ukrainës dhe Rusisë.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka folur të shtunën me homologët japonezë dhe koreano-jugorë, pas paralajmërimit të Uashingtonit se ushtria ruse, e cila ka më shumë se 100,000 trupa të grumbulluara pranë Ukrainës, mund të pushtojë në çdo moment.

Moska, e cila ka mohuar vazhdimisht se planifikon të pushtojë dhe se po i përgjigjet agresionit nga aleatët e NATO-s, i ka hedhur poshtë këto paralajmërime.

“Rruga diplomatike mbetet e hapur. Rruga që Moska të tregojë se dëshiron të ndjekë atë rrugë është e thjeshtë. Ajo duhet të de-përshkallëzohet, në vend që të përshkallëzohet,”ka thënë Blinken pas takimeve të tij në arkipelagun e Paqësorit të SHBA-së në Hawaii.

Në një telefonatë një orëshe të shtunën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden i ka thënë, Vladimir Putinit se Perëndimi do t’i përgjigjej me vendosmëri çdo pushtimi të Ukrainës, duke shtuar se një hap i tillë do të prodhonte vuajtje të gjerë dhe do të izolonte Moskën.

Asnjëra palë nuk tha se kishte pasur ndonjë përparim. Një zyrtar i lartë i administratës Biden tha se thirrja ishte profesionale dhe thelbësore, por se nuk kishte asnjë ndryshim thelbësor, shkruan Reuters.

Tutje, Uashingtoni urdhëroi shumicën e stafit të ambasadës së tij të shtunën të largohej menjëherë nga Ukraina për shkak të kërcënimit të një pushtimi.

“Ne urdhëruam largimin e shumicës së amerikanëve ende në ambasadën e SHBA-së në Kiev. Rreziku i veprimit ushtarak rus është mjaft i lartë dhe kërcënimi është mjaft i afërt, saqë kjo është gjëja e kujdesshme për t’u bërë,” ka thënë Blinken në Honolulu.

Shumë nga aleatët evropianë të Uashingtonit dhe vende të tjera gjithashtu kanë pakësuar ose evakuuar stafin nga misionet e tyre në Kiev dhe u kanë kërkuar qytetarëve të largohen ose të shmangin udhëtimin në Ukrainë./21Media

Back to top button