Osmani diskutoi në Konferencën e Mynihut për angazhimin për demokraci

Në kuadër të Konferencës për Siguri në Mynih, Presidentja, Vjosa Osmani sot ka diskutuar si paneliste lidhur me sfidat dhe angazhimin për demokraci në Evropë. Përveç saj, në këtë panel kanë diskutuar edhe Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas dhe liderja e opozitës në Bjellorusi Sviatlana Tsikhanouskaya.
Osmani ka folur për rëndësinë e demokracisë nga perspektiva e vendit, i cili ka sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë dhe pavarësinë.
Në diskutimin e saj, presidentja shfaqi shqetësimin për zhvillimet në rajon, ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe tendencat destabilizuese që vijnë nga aleati i Rusisë, Serbia.
Më tej, Osmani ka theksuar se demokracia është një shtyllë kyçe në përpjekjet shtetndërtuese të Republikës së Kosovës, sikurse edhe shtyllë qendrore e zhvillimit të shoqërisë në vendin tonë. Tutje, Presidentja Osmani ka folur për sfidat me të cilat përballen shoqëritë demokratike, si dhe mënyrat se si mund të tejkalohen ato.
Tutje Osmani ka thënë se suksesi i  përbashkët arrihet nëpërmjet garantimit të të drejtave të njeriut, kundërshtimit të pushteteve autoritare nëpër botë dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet popujve demokratik. Ajo përmendi edhe Samitin për Demokraci dhe zotimet e Republikës së Kosovës në këtë Samit, të cilat do ta avancojnë edhe më tej demokracinë në vend./21Media

Back to top button