Çfarë u diskutua në takimin e Kurtit me Borrell?
Në përfundim të ditës së dytë të qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, takuan Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell.
Në komunikatë bëhet e ditur se në takim u diskutua për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës është palë konstruktive që angazhohet për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke. Në shërbim të kësaj, ai tha se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njejtë nga pala serbe.
Kurti po ashtu tha se e mirëpret koordinimin e ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces të rëndësishëm./21Media
