Zelensky u lutet qytetarëve: Ktheheni për të mbrojtur Ukrainën

Në video-mesazhin e tij të fundit të shtunën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tha ukrainasve “Ne i kemi rezistuar dhe i kemi zmbrapsur me sukses sulmet e armikut. Luftimet vazhdojnë në qytete dhe rajone të ndryshme të vendit tonë”.
Zelensky tha se kryeqyteti Kiev dhe qytetet kryesore rreth tij ishin ende nën kontrollin e ushtrisë. “Ne i kemi prishur planet, ata nuk kanë asnjë avantazh ndaj nesh”, shtoi ai.
Ai tha se Rusia kishte goditur zonat e banuara duke përdorur raketa.
“Shkatërrimi nga raketat dhe artileria e ndërtesave të banimit është argumenti përfundimtar që bota të jetë pranë nesh në ndalimin e pushtimit”, tha Zelensky.
Zelensky tha se Ukraina tani ka “pothuajse mbështetjen e plotë të anëtarëve të BE-së për të përjashtuar Rusinë nga SWIFT” – sistemi ndërkombëtar i pagesave që ka qenë në qendër të një debati rreth sanksioneve kundër Rusisë. “Shpresoj se Gjermania dhe Hungaria do të kenë guxim të mjaftueshëm për të mbështetur këtë vendim”, tha ai.
Ai u bëri thirrje përsëri ukrainasve që t’i rezistojnë pushtimit rus, transmeton rtv21.tv.
“Çdo ukrainas duhet të ketë parasysh një gjë: nëse mund të ndaloni dhe shkatërroni pushtuesit bëjeni. Të gjithë ata që mund të kthehen në Ukrainë ktheheni për të mbrojtur Ukrainën”.
Ai u bëri thirrje edhe vullnetarëve nga jashtë. “Të gjithë miqtë që duan të bashkohen me ne — ju lutemi ejani, ne do t’ju japim armë”./21Media

Back to top button