Shqipëria mbyll hapësirën ajrore për avionët rusë

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka prezantuar sanksionet e marra nga Shqipëria për Rusinë. Ajo bëri të ditur se hapësira ajrore shqiptare do të jetë e mbyllur për Rusinë.
Ndërkohë sanksionet e tjera të vënë nga shteti shqiptar për Rusinë prekin 54 individë dhe 42 subjekte.
Ministrja tha se Shqipëria i është bashkuar sanksioneve individuale për ngrirjen e aseteve te individëve që shkojnë që nga Presidentit rus, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse.
Po ashtu, ajo theksoi se është vendosur edhe ndalimi i udhëtimit në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, ndërkohë që lidhur me politikën e vizave është në shqyrtim anulimi i politikave lehtësuese për lëvizjen e diplomatëve, zyrtarëve të tjerë rusë dhe njerëzit e biznesit.
Ndërsa, sanksionet ekonomike përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji, ku në energji përfshihet shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës dhe do të vendosë kufizime në ofrimin e shërbimeve përkatëse.
Në sektorin e transportit do të ndalohet eksporti që mbulon mallrat dhe teknologjinë në industrinë e aviacionit dhe hapësirës, si dhe do të ketë një ndalim për ofrimin e shërbimeve të sigurimit dhe risigurimit dhe mirëmbajtjes në lidhje me ato mallra dhe teknologji.
Në sektorin e teknologjisë do të vendosen kufizime të mëtejshme për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, si dhe kufizime në eksportet e mallrave dhe teknologjisë së caktuar./oranews

Back to top button