Reagimi i Mehajt ndaj deklarimeve të Vulinit kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO

“Deklarata kërcënuese dhe tentim shantazhi i Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, pas kërkesës sonë për anëtarësim në NATO, është alarm shumë serioz për vendet anëtare të NATO-s dhe gjithë vendet e botës demokratike që sot janë rreshtuar në anën e duhur të historisë.”, ka deklaruar sonte ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili ka theksuar se ka analogji absolute e qëndrimeve të Vulinit të Serbisë me ato të Putinit të Rusisë.
Mehaj ka potencuar se kjo është “një konfirmim i fuqishëm i arsyes, se pse duhet sa më shpejtë Kosova të anëtarësohet në NATO, sepse zgjatimi i Rusisë dhe Putinit mezi pret të realizoj skenarin e ngjashëm mbi vendin tonë”.
“Kërkesa jonë legjitime dhe shumë e arsyeshme për anëtarësim me proces të përshpejtuar në NATO, e bënë edhe njëherë plotësisht të qartë, qëndrimin e vërtetë dhe pretendimet e Serbisë mbi Kosovën. Gjithçka është e qartë, Analogji absolute në mes pretendimeve absurde të Putinit për gjoja arsyen e agresionit mbi Ukrainën me pretendimet absurde të Vulinit për agresionin e mundshëm të Serbisë mbi Kosovën.”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ai i ka ftuar autoritetet vendimmarrëse të NATO dhe BE-së të dënojnë këtë qëndrim destruktiv të radhës së Vulinit, që nënkuptohet edhe qëndrim zyrtar i qeverisë serbe.
Kujtojmë që, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se “shteti i tij rrezikohet me konflikt të armatosur” në rast se Kosova anëtarësohet në NATO./21Media

Back to top button