Takimi Kurti-Wigemark, EULEX përforcon njësinë policore në Kosovë
Vendosja e përkohshme në Kosovë e njësisë Policore të Specializuar Rezervë të forcës policore shumëkombëshe, Forca Evropiane e Xhandarmërisë (EUROGENDFOR), ishte tema e takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.
Kjo njësi e përbërë prej 92 pjesëtarëve nga Portugalia (42), Franca (28) dhe Italia (22), që do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim, do të përforcojë kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NjPS) dhe do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave, si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse është e nevojshme, duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë.
Wigemark rikonfirmoi përkushtimin dhe gatishmërinë e misionit EULEX për vazhdimin e përkrahjes për institucionet për forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe mbështetjes së stabilitetit të Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Kryeministri Kurti ritheksoi vendosmërinë e Qeverisë dhe përkushtimin institucional për të forcuar e avancuar sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.
Ndryshe, Misioni evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, njoftoi të hënën se do të përforcojë njësinë e tij të specializuar policore me një njësi rezervë.
Përmes një njoftimi, EULEX tha se kjo njësi, e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë, nga Portugalia, Franca dhe Italia, “do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim” për të përforcuar, siç tha, “kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it”. /21Media