Kaloni te përmbajtja kryesore

Autoritetet spanjolle ia sekuestrojnë jahtin oligarkut rus

Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar një jaht prej 140 milionë dollarësh “të një prej oligarkëve kryesorë” të Rusisë, në portin e Barcelonës, ka thënë kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
“Ne kemi sekuestruar një jaht i një prej oligarkëve kryesorë. Po flasim për një jaht që vlerësojmë se ka një vlerë prej 140 milionë dollarësh”, tha Sanchez.
Jahti mban emrin “Valerie” dhe autoritetet spanjolle duan të përcaktojnë nëse ai është në pronësi apo kontroll të një personi apo kompanie të sanksionuar nga Bashkimi Europian për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, tha në një deklaratë Ministria e Transportit e Spanjës.
Ky është “imobilizimi i përkohshëm” i parë i një jahti në lidhje me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, i kryer nga Drejtoria e Marinës Tregtare, një agjenci e Ministrisë së Transportit, thuhet në deklaratë.
Superjahti ishte gati të lundronte larg portit të Barcelonës, ku u ankorua në instalimet e MB92, një kompani që bën riparime dhe mirëmbajtje të superjahteve, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Sanchez tha se Spanja do të kontaktojë shërbimet e inteligjencës dhe departamentet ekonomike të vendeve aleate në Bashkimin Evropian dhe gjetkë në përpjekje për të përcaktuar pronësinë e jahtit.
“Nëse, siç dyshohet, anija është pronë e një personi ose kompanie të përfshirë në listën e sanksioneve (Rusisë) nga Këshilli Evropian, atëherë superjahti do të imobilizohet deri në urdhër të mëtejshëm”, ka thënë Ministria e Transportit./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button